Kombet e Bashkuara

S/RES/1325 (2000)
________________________________________________________________________________

Këshilli i Sigurimit

Distr.: i përgjithshëm
31 tetor 2000

Rezoluta 1325 (2000)

E pranuar nga Këshilli i Sigurimit në takimin e tij të 4213-të, më
31 tetor 2000

Këshilli i Sigurimit,

Duke rikujtuar rezolutat e tij: 1261 (1999) e 25 gushtit 1999, 1265 (1999) e 17 shtatorit 1999, 1296 (2000) e 19 prillit 2000 dhe 1314 (2000) e 11 gushtit 2000,
si dhe deklaratat përkatëse të Presidentit të tij; duke rikujtuar gjithashtu deklaratën për shtyp të Presidentit me rastin e Ditës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Grave dhe të Paqes Ndërkombëtare (Dita Ndërkombëtare e Grave) më 8 Mars 2000 (SC/6816),

Duke rikujtuar gjithashtu zotimet e deklaratës së Pekinit dhe të Platformës për Veprim (A/52/231), si edhe zotimet e përfshira në dokumentin përfundimtar të Sesionit të Veçantë të njëzet e tretë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të titulluar "Gratë 2000: Barazia Gjjinore, Zhvillimi dhe Paqja për Shekullin e Njëzetë e Një" (A/S-23/10/Rev.1), në veçanti ato që kanë të bëjnë me gratë dhe konfliktin e armatosur,

Duke marrë në konsideratë qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe përgjegjësinë kryesore të Këshillit të Sigurimit, sipas Kartës, për mbështetjen e paqes ndëkombëtare dhe të sigurisë,Duke shprehur shqetësimin se civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët, konsiderohen si shumica dërrmuese e të prekurve nga konflikti i armatosur, përfshirë këtu si refugjatët ashtu edhe të shpërngulurit brenda vendit,; dhe faktin që gjithnjë e më tepër ata janë nën shënjestrën e luftëtarëve dhe të elementëve të armatosur, si dhe duke marrë parasysh pasojën e këtij ndikimi për një paqe të qëndrueshme dhe për pajtim,

Duke ripohuar rolin e rëndësishëm të grave në parandalimin, zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes, si dhe duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre të barabartë dhe përfshirjen e plotë në të gjitha përpjekjet për ruajtjen dhe çuarjen përpara të paqes dhe të sigurisë, si dhe nevojën për të rritur rolin e tyre në proceset vendimmarrëse, lidhur me parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve,

Duke ripohuar gjithashtu nevojën për të zbatuar plotësisht ligjet ndërkombëtare humanitare dhe ato të të drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë të drejtat e grave dhe të vajzave gjatë dhe pas konflikteve,

Duke theksuar nevojën që të gjitha palët të bëjnë të mundur që programet për pastrimin nga minat dhe ato për ndërgjegjësimin për praninë e minave, të marrin parasysh nevojat e vecanta të grave,

Duke pasur parasysh nevojën urgjente për të futur perspektivën gjinore në veprimet paqeruajtëse, dhe duke vëne theksin lidhur me këtë në Deklaratën Windhoek dhe në Planin e Namibisë për Veprim në Futjen e Perspektivës Gjinore në Veprimet Shumëpërmasëshe për Mbështetjen e Paqes (S/2000/693),

Duke njohur gjithashtu rëndësinë e këshillës së dhënë për shtyp nga Presidenti i tij më 8 mars 2000 për trajnimin e specializuar të të gjithë personelit paqeruajtës për mbrojtjen, nevojat e veçanta dhe të drejtat e grave dhe të fëmijëve në situatat e konfliktit,

Duke ditur se po të kuptohet ndikimi që konflikti i armatosur ka tek gratë dhe vajzat, atëherë kjo do të nxisë marrëveshjet institucionale që të sigurojnë mbrojtjen e grave dhe të vajzave si dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në procesin e paqes, të cilat nga ana e tyre mund të kontribuojnë dukshëm në ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe të sigurimit,

Duke vënë re nevojën për të konsoliduar të dhënat për ndikimin e konfliktit të armatosur tek gratë dhe vajzat:

1. Nxit Shtetet Anëtare, që të sigurojnë një përfaqësim më të madh të grave në të gjitha nivelet vendimmarrëse në institucionet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dhe në mekanizmat për parandalimin, drejtimin dhe zgjidhjen e konfliktit;

2. Inkurajon Sekretarin e Përgjithshëm që të zbatojë planin e tij strategjik të veprimit (A/49/587), duke kërkuar një rritje të pjesëmarrjes së grave në nivelet vendimmmarrëse për zgjidhjen e konfliktit dhe proceset e paqes;

3. Nxit Sekretarin e Përgjithshëm që të caktojë më shumë gra si përfaqësuese të posaçme dhe të kërkojë që të kryejnë punë të mira në emrin e tij, dhe lidhur me këtë u bën thirrje Shteteve Anëtare që të sigurojë kandidatë për Sekretarin e Përgjithshëm, për përfshirje në një listë qendrore, e cila ripërtërihet rregullisht;

4. Nxit më tej Sekretarin e përgjithshëm, që të përpiqet që të zgjerojë rolin dhe kontributin e grave në veprimet e kryera në bazë dhe në mënyrë të veçantë mes vëzhguesve ushtarakë, policëve civilë personelit të të drejtave të njeriut dhe atyre humanitare;

5. Shpreh gatishmërinë e tij për të përfshirë perspektivën gjinore në veprimet paqeruajtëse dhe nxit Sekretarin e përgjithshëm që të sigurojë, që atje ku është e mundur, veprimet në bazë të përfshijnë edhe një element gjinor;

6. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm që t’u sigurojë Shteteve Anëtare udhëzues trajnimi dhe materiale për mbrojtjen, të drejtat dhe nevojat e veçanta të grave, si edhe për rëndësinë e përfshirjes së grave në të gjitha masat paqeruajtëse dhe paqendërtuese, fton Shtetet Anëtare që të përfshijnë të gjithë këto elemente si dhe trajnime për ndërgjegjësimin për HIV/AIDS, në programet e tyre kombëtare të trajnimit për personelin policor civil dhe ushtarak, në përgatitje për t’u punësuar. Dhe i kërkon më tej Sekretarit të Përgjithshëm që të sigurojë që edhe personeli civil i veprimeve paqeruajtëse të marrë një trajnim të ngjashëm;

7. Nxit Shtetet Anëtare që të rrisin mbështetjen e tyre financiare vullnetare, teknike dhe logjistike për trajnime me karakter gjinor, përfshirë edhe ato të ndërmarra nga fondet dhe programet përkatëse, inter alia, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Gratë dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijët, dhe nga Zyra e Komisionerit të Lartë për refugjatët dhe nga organizma të tjerë përkatës;

8. U bën thirrje të gjithë organizmave të përfshirë, që kur zhvillojnë bisedime dhe zbatojnë marrëveshjet për paqen, të miratojnë një perspektivë gjinore, duke përfshirë, inter alia:

(a) Nevojat e veçanta të grave dhe vajzave gjatë riatdhesimit dhe për riaftësimin, riintegrimin dhe rindërtimin pas konfliktit;

(b) masa që mbështesin nismat lokale të grave për paqen dhe proceset vendase për zgjidhjen e konfliktit, dhe që përfshin gratë në të gjitha mekanizmat zbatues të marrëveshjeve për paqen;

(c) Masa që sigurojnë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të vajzave dhe grave, veçanërisht me ato që lidhen me kushtetutën, sistemin zgjedhor, policinë dhe gjykatësit;

9. U bën thirrje të gjitha palëve në konfliktin e armatosur që të respektojnë plotësisht ligjin ndërkombëtar, të zbatueshëm për të drejtat dhe mbrojtjen e grave dhe të vajzave, duke i trajtuar ato veçanërisht si civilë, si dhe detyrimet e zbatueshme për ta, nën Konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe të Protokolleve Shtesë të vitit 1977, Konventa e Refugjatit e vitit 1951dhe për më tepër Protokollin e vitit 1967, Konventën për eleminimin e të gjitha formave të Diskriminimit kundër Grave, të vitit 1979 si dhe Protokollin fakultativ të vitit 1999 dhe Konventën e Kombeve të bashkuara për të Drejtat e Fëmijës të vitit 1989 dhe dy Protokolle Fakultative të 25 majit 200 dhe të mbajë në mendje kushtet përkatëse të statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtar të krimeve;

10. Iu bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në konfliktin e armatosur që të marrin masa të veçanta për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna me bazë gjinore, veçanërisht nga përdhunimi dhe format e tjera të abuzimit seksual, dhe të gjitha llojeve të tjera të dhunës në situatën e një konflikti të armatosur;

11. Thekson përgjegjësinë e të gjitha Shteteve që t’u japin fund pandëshkueshmërisë dhe të ndëshkojnë ata që janë përgjegjës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përfshirë këtu edhe ato që janë të lidhura me dhunën seksuale dhe dhunë të llojeve të tjera mbi gratë dhe vajzat dhe lidhur me këtë vë theksin në nevojën për të përjashtuar këto krime, atje ku është e mundur nga kushtet për amnisti;

12. Iu bën thirrje të gjitha palëve të konfliktit të armatosur që të respektojnë civilët si dhe kampet dhe ngulimet e refugjatëve me karakter humanitar dhe të marrin parasysh nevojat e veçanta të grave dhe vajzave, të përfshira në synimet e tyre, dhe rikujton rezolutat e tij 1208 (1998) të 19 Nëntorit 1998 dhe 1296 (2000) të 19 prillit 2000;

13. Inkurajon të gjitha ata që përfshihen në planin për çarmatim, çmobilizim dhe riintegrim që të konsiderojë nevojat e ndryshme të ish-luftëtarëve meshkuj dhe femra dhe të marrë në konsideratë nevojat e familjarëve të tyre;

14. Ripohon gatishmërinë e tij, kur masat janë marrë nën Artikullin 41 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, që të japë vlerësimin e tyre për ndikimin e tyre të mundshme mbi popullsinë civile, duke mbajtur parasysh nevojat e veçanta të grave dhe vajzave, në mënyrë që të kihen parasysh përjashtime humanitare atje ku duhet,

15. Shpreh gatishmërinë e tij, për të siguruar që misionet e Këshillit të Sigurimit të marrin parasysh vlerësimet gjinore dhe të drejtat e grave, të marra prej konsultimeve me grupet lokale dhe ndërkombëtare të grave;

16. Fton Sekretarin e Përgjithshëm që të përfundojë një studim mbi ndikimin e konfliktit të armatosur mbi gratë dhe vajzat, rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe përmasat gjinore të proceseve të paqes dhe të zgjidhjes së konfliktit, dhe fton më tej atë që t’i paraqesë një raport Këshillit të Sigurimit mbi rezultatet e këtij studimi dhe ta vërë atë në dispozicion të të gjitha Shteteve Anëtare dhe të Kombeve të Bashkuara;

17. I kërkon Sekretarit të Përgjithshëm, atje ku është e përshtatshme, që të përfshijë në raportin e tij për Këshillin e Sigurimit, përparimin në drejtimet bazë gjinore në të gjitha misionet paqeruajtëse dhe në të gjitha aspektet e tjera që kanë të bëjnë me gratë dhe vajzat.

18. Vendos që të vazhdojë të merret aktivisht me këtë çështje.